Ndërprerje të përkohshme në shenjë proteste ndaj detyrimeve antikushtetuese të imponuara në Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuale.
E informojmë publikun se operatorët e shërbimeve të komunikimit elektronik detyrohen të fillojnë ndërprerje të përkohshme në ritransmetimin e të gjitha programeve televizive, përveç shërbimit publik MRT nga 21 qershori viti 2020. Kjo është për shkak të ndryshimit të akteve nënligjore dhe ligjore në Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuale, i cili imponon detyrime jokushtetuese dhe retroaktive për operatorët për të ri-regjistruar të gjitha kanalet e huaja. Në këtë mënyrë, duam të rrisim nivelin e vetëdijes për seriozitetin e kësaj çështje për publikun e gjerë.
Përkundër të gjitha përpjekjeve, reagimeve dhe gatishmërisë për bashkëpunim, në interes të shfrytëzuesve, situata me ritransmetimin e kanaleve televizive nuk ka zgjidhje, por po bëhet gjithnjë e më e komplikuar. Vendimi për ndërprerje të përkohshme mbështetet nga operatorët që janë pjesë e Shoqatës së TIK-ut në Odën Ekonomike të Maqedonisë, të cilët janë të vendosur dhe të bashkuar për t’iu qasur ndërprerjes në shenjë proteste.
Arsyeja për një hap të tillë është miratimi i ndryshimeve dhe plotësimeve jokushtetuese të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale pas një procedure të shkurtuar dhe jo transparente, pa konsultime dhe diskutime paraprake. Prandaj, operatorët kanë paraqitur një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e ndryshimeve në Ligj, për të cilat ende presim një zgjidhje. Me këtë ligj, të gjithë operatorëve u imponohet obligimi që të garantojnë të drejtat e autorit të programeve që nuk i krijojnë, por vetëm i ritransmetojnë dhe të mbajnë përgjegjësi penale dhe materiale për këtë. Kjo do të thotë që nuk ka mundësi që kanalet të regjistrohen, dhe kështu të ritransmetohen, por asesi nuk do të thotë mbrojtje e të drejtave të autorit sipas të cilave u miratuan ndryshimet antikushtetuese të Ligjit, sepse mënyra e ritransmetimit të programeve dhe mbrojtja e të drejtave të autorit edhe deri më tani ishin të rregulluara me ligj dhe në përputhje me standardet e BE-së.
Për më tepër, më 29.05.2020, gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, u miratua një Dekret i cili plotësoi ligjin me një detyrim tjetër në dëm të operatorëve dhe shfrytëzuesve, i cili vë në pikëpyetje ritransmetimin e mëtutjeshëm të përmbajtjeve televizive përmes rrjetit tonë publik të komunikimit elektronik. Ky Dekret imponon një detyrim për operatorët që të ri-regjistrojnë brenda 60 ditësh kanalet e huaja tashmë të regjistruara.
Pas skadimit të kësaj periudhe, pra më 08.08.2020, operatorët do të duhet të ndërpresin pjesën më të madhe të kanaleve të huaja që i ritransmetojnë, për shkak të rregullores që nga njëra anë kërkon ri-regjistrimin e tyre në kushte të reja pa shkaqe të arsyeshme, dhe nga ana tjetër kërkon deklarata me të cilat nën përgjegjësinë morale dhe penale, operatorët do të ishin përgjegjës për diçka për të cilën ata nuk kanë asnjë detyrim ligjor ose fuqi për të kontrolluar.
Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës, konsiderojmë se duhet të jemi transparent për shfrytëzuesit dhe publikun dhe të alarmojmë për mundësinë potenciale për mbylljen e plotë të platformave për ritransmetimin e përmbajtjeve programore pas 8.08.2020. Pas këtij hapi, ekziston rreziku që operatorët të detyrohen të ndërpresin plotësisht TV platformën.
Si deri më tani, jemi të hapur për bashkëpunim dhe kemi ofruar një propozim për ndryshimin e akteve nënligjore, i cili nëse pranohet do të jetë një zgjidhje e përbashkët që do të hap rrugën drejt parandalimit të errësirës së mundshme mediale dhe informative.
Ne do të ndërmarrim gjithçka që është në fuqinë tonë për të gjetur një zgjidhje, me çka do të shmangeshin dëmet e mëtejshme dhe do të mbroheshin shfrytëzuesit dhe tërë publiku.